Arsen Venger nuk ka më durim dhe ka vendosur të largojë të gjithë lojtarët që nuk e kanë bindur gjatë këtij sezoni ku Arsenali ka vështirësi të dukshme si në kampionat, ashtu edhe në aktivitetet e tjera ku merr pjesë.
Pas humbjes 4-0 ndaj Milanit, trajneri francez ka vendosur të largojë disa nga lojtarët që treguan qartë se nuk mund të luajnë në nivele të larta, duke filluar nga Teo Uollkot.
Ky i fundit u zëvendësua gjatë pushimit të ndeshjes dhe shumë media kanë spekuluar se Venger ia ka bërë të qartë se nuk mund të presë më “shpërthimin” e një futbollisti që ka shumë vite që ka mbetur në të njëjtat nivele, pa bërë hapin cilësor.
Në vend të tij, formacioni titullar do të plotësohet me Oksleid-Çambërlein, një i ri që ka shpërthyer këtë sezon dhe që ka bindur të gjithë se ka talent të mjaftueshëm për të luajtur te Arsenali.
Andrei Arshavin, Marouan Çamak, Sebastien Skilaçi, Tomas Rosiçki dhe Park Ju-Jang janë emrat e tjerë që pritet të largohen.
Por kjo strategji mund të sjellë një largim edhe më të bujshëm, atë të Robin Van Persit, i cili nuk beson se Venger mund t’i zëvendësojë të larguarit me elementë më cilësorë. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 February 2012 14:26