Arsenali po monitoron nga afër situatën e Fernando Lorente, i cili ka vetëm një vit kontratë të mbetur me Atletik Bilbaon dhe ka pranuar se i intereson ideja e një transferimi në Angli.
Futbollisti 27 vjeçar pritet të kushtojë rreth 28 milion paund, po Venger mendon se kjo shumë është mëse e justifikuar pas futbollisti ka treguar se është një sulmues i jashtëzakonshëm. Pritet që “topçinjtë” të fillojnë bisedimet me lojtarin që mban nofkën “Mbreti Luan” gjatë Euro 2012, ku vëzhgohen edhe lojtarë të tjerë që do të marrin pjesë në këtë aktivitet. Dy objektiva parësorë të merkatos janë sulmuesi francez Olivier Zhirud dhe mbrojtësi spanjoll Havi Martinez.
Por Venger ka bërë të qartë se nuk do të bëjë asnjë lëvizje pa mbyllur më parë çdo marrëveshje me Robin Van Persi, pasi në varësi të qëndrimit apo jo të tij, do të ndërhyhet në merkato.
Një çështje tjetër që shqetëson Venger është ajo e Teo Uolkot, me të cilin do të fillojnë bisedimet për rinovimin pas përfundimit të Euro 2012. Edhe kontrata e lojtarit të përfaqësueses angleze përfundon me mbylljen e sezonit të ardhshëm dhe pas 6 muajsh ai është i lirë me rregullore që të flasë me klube të tjera. Për këtë arsye, Venger do t’i propozojë futbollistit rinovimin gjatë verës, për të evituar që edhe ai të bëhet një çështje shumë shqetësuese si ajo e Van Persit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 11:52