Veterani Baselit, njëherësh ish-lojtari i ekipeve si Liverpool, Borussia Dortmund dhe Stuttgart, Philip Degen ka folur rreth transferimit të Xherdan Shaqirit te Stoke City.
32-vjeçari ka thënë se kalimi i shqiptarit te klubi anglez është një zgjedhje katastrofale, pasi kështu ai ka bërë hapa pas në karrierë dhe për këtë e fajëson agjentin dhe vëllanë e lojtarit.
Potenciali i mesfushorit është i qartë për të gjithë, pasi ai në vitin 2012 arriti të kalojë për 11.6 milionë euro nga Baseli te Bayern Munichu dhe pastaj te Interi për 16 milionë euro.
Degen mendon se 23-vjeçari ka zgjedhur mesin e Ligës Premier, edhe pse ka pasur mundësi shumë më të mira dhe për këtë ai e fajëson Erdin Shaqirin, pasi ishte ai i cili e bindi dhe pastaj e mori këtë vendim për futbollistin që e përfaqëson Zvicrën, transmeton Telegrafi.
“Xherdani u bashkua te një klub në mes të asgjëje, te një klub mesatar dhe për këtë fajin e ka i vëllai”.
“Vëllai i tij di për futbollin aq sa di unë për vallëzim. Ai është një amator i cili është futur papritmas në këtë industri dhe ka filluar të improvizojë gjëra.
“Erdini nuk është i aftë të kuptojë se çfarë dëme të mëdha i ka bërë karrierës së Xherdanit dhe e gjitha kjo për shkak të paaftësisë së tij”, ka thënë Degen për Nordwestschweiz.
Shaqiri nuk ka arritur të fitojë ende asnjë ndeshje me Stoke Cityn dhe kështu ata momentalisht renditen në pozitën e 17-të në Ligën Premier.
Sunday, 30 August 2015 08:31