Robin Van Persi pretendon se partneriteti i tij me Uejn Runin po shkëlqen nga fakti se të dy sulmuesit e Mançester Junajtid po ambientohen me një pozicion tjetër në repartin e avancuar, atë që e kanë quajtur me emrin “9.5”.
Holandezi tregon se të dy lojtarët ndryshojnë shpesh pozicionet, duke kaluar me radhë në atë që është numri “9” i sulmuesit tradicional dhe atë të numrit “10” që është ai që lidh repartin e avancuar me mesfushën. Sipas tij, kjo është arsyeja pse ai ka arritur të shënojë 10 gola që në momentin kur ka mbërritur në radhët e kësaj skuadre pas transferimit nga Arsenali.
“Unë e quaj pozicioni “nënte e gjysmë” pasi praktikisht ke dy pozicione, 9 dhe 10, ndërsa ne luajmë të dy si 9.5. Ne thjesht po ndihmojmë njëri-tjetrin, të dy luajmë si para, ashtu edhe më të tërhequr. Gjërat duket se po shkojnë në mënyrën e duhur dhe shpresoj që bashkë me Uejn të vazhdojmë në këtë mënyrë”, tregoi holandezi.
Aleks Ferguson, ndonëse është i lumtur me rendimentin që ka patur reparti i tij i avancuar në këtë sezon, mendon se dy sulmuesit nuk kanë arritur ende maksimumin e aftësive të tyre.
“Ata kanë fleksibilitet dhe lëvizjen e duhur, të dy kanë kuraje të luajnë në pozicione të ndryshme, janë futbollistë të mëdhenj me dëshirën të luajnë futboll dhe të fitojnë. Por nuk mendoj se keni parë maksimumin e tyre ndaj Arsenalit”, tha trajneri i Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 November 2012 13:59