Robin Van Persi kërkon që kushdo që të vendosë të nënshkruajë një kontratë me të, duhet të bëjë gati një rrogë prej 10.1 milion paund në sezon për lojtarin holandez.
Sipas “The Sun”, menaxheri i lojtarit, Kes Vos, është takuar me drejtuesit e Juventusit dhe u ka bërë të qartë kampionëve të Italisë se lojtari kërkon një rrogë prej 195 mijë paund në javë, duke u bërë një prej futbollistëve më të paguar në botë.
Lojtari duket se do ta sigurojë një kontratë të tillë pa problem, pasi edhe Juventusi që fillimisht ishte trembur nga kërkesa e tij, tani është kthyer përsëri në kërkim të lojtarit, duke iu bashkuar ankandit të hapur me dy skuadrat e Mançesterit.
Vetë lojtari ka refuzuar një ofertë për rinovim nga Arsenali, ku atij i premtoheshin 130 mijë paund në javë. Por ai synon që t’i afrohet rrogave të më të mirëve dhe Junajtid e Siti nuk e kanë problem të plotësojnë kërkesa të tilla. Mjafton të kujtohet që Uejn Runi aktualisht paguhet 200 mijë paund në javë, ndërsa Jaja Ture 225 mijë paund në javë.
Arsenali dëshiron të rritë sa më shumë çmimin e futbollistit dhe mendohet se ka caktuar shifrën e 30 milion paund për transferimin e lojtarit që ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me klubin londinez. Nëse ai largohet, “topçinjtë” kanë gjetur edhe zëvendësuesin e tij, duke bërë gati një ofertë për lojtarin e Atletik Bilbao, Fernando Lorente. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 July 2012 11:40