Mançester Junajtid do të përpiqet të sigurojë sa më parë firmën me holandezin Robin Van Persi pasi ka nevojë për një alternativë në sulm pas largimit të sigurt në ditët e ardhshme të Dimitar Berbatov.
Futbollisti holandez i Arsenalit duket se nuk po kërkohet më me ngulm nga Juventus, pasi këta të fundit shohin tashmë me shumë interes Jovetiç, më i ri në moshë dhe me kërkesa shumë më të ulëta financiare.
Për këtë arsye, ai po sheh rreth e rrotull për një ekip tjetër të interesuar dhe për momentin, Mançester Junajtid është në kërkim të një sulmuesi për ta rreshtuar përkrah Uejn Runit në repartin e avancuar. Ndonëse Ferguson nuk e ka pranuar publikisht interesimin për holandezin, ai ka bërë të ditur se tani skuadra e tij po kërkon një tjetër lojtar cilësor.
Por marrëveshja nuk është aq e thjeshtë pasi fillimisht Arsenali nuk do të lërë futbollistin të shkojë drejt “djajve të kuq”, sepse nuk dëshiron të përforcojë një rival në kampionatin anglez
Pastaj është çështja e konkurrencës te 19 herë kampionët e Anglisë, pasi në radhët e tyre, përveç Runit, janë edhe Hernadez e Uellbek, dy lojtarë me peshë të cilët detyruan pikërisht Berbatov të largohej nga kjo skuadër. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 July 2012 12:03