Robin Van Persi ka bërë të qartë se dëshiron të mos quhet më një futbollist i Arsenalit, ndonëse ditët e fundit ka dalë në stërvite me këtë skuadër dhe ka një kontratë që zgjat edhe një sezon me “topçinjtë”. Sulmuesi holandez ka vendosur të mos marrë pjesë në turin aziatik që do të zhvillojnë londinezët pasi kërkon të bindë drejtuesit e klubit ta lënë të largohet drejt një ekipi tjetër.
Trajneri Arsen Venger ka pranuar pa dëshirë që të lerë lojtarin në Londër, pasi ai do të vazhdojë të stërvitet me futbollistët e akademisë dhe me ata që janë në fazën e riaftësimit si Uillshair, Sanja dhe Frimpong. Por Arsenali ka vendosur që të mos dorëzohet plotësisht para kërkesave të lojtarit dhe dëshiron të përfitojë të paktën 20 milion paund nga shitja e tij.
Ndryshe nga sa është aluduar këto ditë në media, Mançester Junajtid është tërhequr nga gara, duke preferuar që të përqendrohet të Lukas Moura dhe Nuri Shahin, në vend të sulmuesit holandez.
Kjo bën që alternativa e tij e vetme të mbetet Mançester Siti, me drejtuesit e kësaj skuadre që po bëhen gati t’i bëjnë atij një ofertë të parefuzueshme.
Por Arsenali ka vendosur që “të luajë ashpër”me holandezin, duke i kujtuar që ka një kontratë deri në sezonin e ardhshëm dhe se në gushtin e vitit 2013 mbush 30 vjeç, një moshë relativisht e madhe për të siguruar një kontratë fitimprurëse në klubet e mëdha.
Ky duket një fund aspak i lumtur për historinë e futbollistit i cili në sezonin e kaluar udhëhoqi Arsenalin drejt vendit të tretë në kampionat duke shënuar 37 gola me fanellën e kësaj skuadre dhe duke u shpallur “Lojtari i Vitit” në Angli. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 July 2012 17:08