Trajneri i Holandës, Luis Van Gal, është i zhgënjyer me situatën që po kalon Uesli Shnajder, i cili kohët e fundit ka patur probleme me klubin e Interit. Mesfushori 28 vjeçar ka luajtur shumë pak në këtë sezon dhe mungesa e tij që fillimisht i atribuohej një dëmtimi në kofshë, është mësuar se është thjesht një arsye për ta detyruar të firmosë rinovimin me klubin.
“Nuk mund të fus hundët mes marrëdhënies së Inter me Shnajder”, tha Van Gal për “De Telegraaf”. “Por shpesh është e vështirë për një trajner pasi nuk mund të thuash gjithmonë atë që mendon. Megjithatë, kam qëndruar në kontakt me Uesli dhe kam folur dy herë në telefon me të rreth situatës”.
“Shnajder është arma më e fortë krijuese e Holandës dhe kapiteni ynë i vërtetë. Kur futbollisti ynë nuk luan për klubin e tij, kjo ka rrjedhimisht pasoja edhe në ekipin kombëtar. Unë do të dëshiroja të mendoja se ai do të luajë futboll pasi ka një rol të rëndësishëm për Holandën, në fushën e lojës dhe jashtë saj”, tha Van Gal.
Megjithatë, Van Gal nuk deshi të tregonte se cila ishte saktësisht këshilla që i kishte dhënë lojtarit në këto biseda telefonike.
“Nuk mund të flas rreth bisedave tona. Unë mund të këshilloj lojtarët mbi atë që mund të bëjnë dhe atë që nuk duhet të bëjnë. Por kur kanë nevojë për diçka, ata duhet të kujdesen për vetveten”, deklaroi trajneri i Holandës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 December 2012 12:01