Organizatori i Totenhem, Rafael van der Vart, ka përjashtuar mundësinë e largimit nga “Uajt Hart Lane” gjatë afatit kalimtar të janarit.
Holandezi ishte i lidhur me një transferim të mundshëm tek skuadra italiane e Milanit por 28-vjeçari këmbëngul se çdo gjë është në rregull me menaxherin e tij.
Ish-lojtari i Real Madridit dhe Hamburgut beson se Redknap është duke bërë një punë të mrekullueshme. Van der Vart është në dijeni të thashethemeve të cilat e shohin atë larg ekipit anglez, por ai nuk dëshiron që të humbas ndjekjen e titullit në Premier Ligë.
“Nuk është e vërtetë që unë të mund të largohem në janar”, shpjegoi Van der Vart. “Sigurisht që ka thashetheme dhe ato ndodhin kur luan mirë futboll.
Skuadrat e mëdha janë gjithmonë të interesuara për lojtarët e Totenhem, por këtë sezon askush nuk dëshiron të largohet – ne jemi afër me diçka të veçantë. Sigurisht që unë dua të qëndroj këtu, gjithkush ndjen se ne kemi një ekip të madh dhe është me të vërtetë kënaqësi për të luajtur këtu.
Ne kemi lojtarë të mëdhenj, lojtarë me përvojë dhe Harri është duke bërë një punë të madhe. Ndonjëherë mund të kesh probleme të vogla me menaxherin, por ne flasim me njëri-tjetrin dhe çdo gjë është në rregull. Herri është duke bërë një punë të mahnitshme me Spurs dhe këtë sezon ndjej se diçka më shumë mund të ndodhë”, deklaroi Van Der Vart për mediat angleze. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 January 2012 16:03