Rafael Van Der Vart është shumë pranë kthimit te klubi i Hamburgut, pasi trajneri Andre Vijas Boas nuk e sheh si pjesë të rëndësishme të së ardhmes te Totenhem. Trajneri portugez mendon se holandezi është një nga gjashtë lojtarët që ai ka përcaktuar si të sakrifikueshëm për të vijuar një proces të kërkuar nga drejtuesit e klubit.
Sipas gazetës holandeze “De Telegraaf”, marrëveshja pritet të mbyllet shumë shpejt, me klubin gjerman që do të paguajë 9.5 milion paund për të rikthyer ish-kapitenin.
Van Der Vart u transferua te Totenhem për 8 milion paund nga Real Madrid dy vite më parë dhe u bë shumë shpejt një idhull për tifozët e skuadrës, duke shënuar gola të rëndësishëm në Ligën e Kampioneve dhe kampionatin anglez.
Tani në vend të tij do të aktivizohet i riu Gylfi Sigurdson, ndërsa holandezi do të përfundonte në stolin e rezervave nëse do të vazhdonte të qëndronte në Angli.
Sebastian Basong, Vedran Çorluka, Stiven Pienar, Niko Kranjcar, Rian Nelsen dhe Luis Saha janë larguar këtë verë nga klubi i Totenhem, ndërsa janë afruar vetëm Sigurdson, Jan Vertonghen dhe Emanuel Adebajor.
Tom Hadëllston, Majkëll Douson, Heurelho Gomes, Xhermein Xhenas dhe David Bentli janë emrat e tjerë që pritet të largohen pas Van Der Vart, duke i dhënë hapësirë Vijas Boas të bëjë ndërhyrje të tjera në merkato para përfundimit të saj. (LajmeShqip.com)
Thursday, 23 August 2012 17:07