Kapiteni i Holandës, Mark Van Bomel, beson se ekipi i tij ka shanse reale për të fituar Euro 2012, por fillimisht duhet të kalojë Spanjën dhe Gjermaninë. Skuadra e drejtuar nga Bert Van Marvijk ka humbur vetëm një ndeshje gjatë fazës eliminatore për turneun që zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni.
Ndonëse kanë dhuruar paraqitje me ulje-ngritje gjatë takimeve përgatitore para fillimit të aktivitetit, mesfushori mendon se tani është koha e duhur për “tulipanët” që të hakmerren për finalen e humbur në Botërorin 2010.
“E besoj fuqimisht që mund të fitojmë Kampionatin Evropian. Gjermania është mes favoritëve, bashkë me Spanjën dhe ne. Me pas vijnë shtete si Italia, Franca dhe Anglia. Mendoj se do të jetë një turne i shkëlqyer dhe shpresojmë të ketë një fund të lumtur për ne”.
Në moshën 35 vjeçare, Euro 2012 mund të jetë mundësia e fundit për Van Bomel që të provojë suksesin në arenën ndërkombëtare, por ai vazhdon të jetë optimist dhe deklaron se futbolli është shumë i paparashikueshëm për këdo.
“Në futboll nuk e sheh kurrë atë që cilësohet si shansi i fundit. Në futboll nuk mund të parashikosh asgjë. Te Bajern, në vitin 2010, menduam se do të ishte shansi i fundit i atij grupi për të fituar Ligën e Kampioneve, por vetëm dy vite më pas, ata ishin përsëri në finale. Duhet thjesht të besosh në diçka, se mund ta arrish”.
“Nuk mendoj se do të jetë një problem për Gjermaninë që 8 futbollistë të Bajern do të jenë të mërzitur për shkak të finales së humbur. Është diçka e mirë të kesh një objektiv tjetër ku të përqendrohesh pas një zhgënjimi. Roben? Ai është shumë i fortë psikologjikisht. E meriton të cilësohet mes 10 lojtarëve më të mirë në botë pasi pas çdo disfate kthehet më i fortë”, përfundoi Van Bomel. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 05 June 2012 18:17