Mark Van Bomel duket se do të shtyjë kthimin e tij në radhët e PSV për një vit më vonë. Ndonëse holandezi kishte parashikuar disa muaj më parë një kthim në vendlindje pas përfundimit të kontratës ekzistuese me Milanin në qershor të këtij viti, plani ka ndryshuar për shkak të dëshirës së të dy palëve.
Futbollisti 35 vjeçar ka qenë vendimtar në këtë sezon me kuqezinjtë, duke udhëhequr mesfushën falë eksperiencës dhe karakterit të tij, për t’u bërë një lojtar i pazëvendësueshëm për skemat e Alegrit. Si rrjedhojë, ky i fundit, i ka bërë të qartë drejtuesve të Milanit se dëshiron të mbajë lojtarin edhe një tjetër vit, me shpresën që deri atëherë të ketë gjetur një zëvendësues të të njëjtit nivel.
Edhe menaxheri i futbollisti, Mino Raiola, ka dhënë sinjale se lojtari është gati të nënshkruajë rinovimin njëvjeçar me kuqezinjtë duke shtyrë kthimin në Holandë për të mbyllur atje karrierën. Të vetmet pengesa mund të jenë nëse familja e futbollistit do t’i kërkojë të kthehen në Holandë, ose nëse dy palët nuk do të bien dakord për uljen e rrogës aktuale nga 3.5 milionë euro në sezon në 2.5 milionë euro në sezon. (LajmeShqip.com)
Saturday, 10 March 2012 15:30