Marko Van Basten duket se i ka vënë objektiv vetes që të drejtojë Milanin në të ardhmen e tij si trajner. Një fakt të tillë e ka pranuar vetë legjenda holandeze, i cili aktualisht është në stolin e Herenven në kampionatin vendas.
“Unë po stërvitem për pankinën e Milanit. E njoh klubin dhe kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë ambientin”, ishte pohimi i Van Basten për mediat italiane, duke i hapur rrugë në të ardhmen një kthimi të tij në radhët e kësaj skuadre.
Ish-sulmuesi, i cili faktikisht nuk ka pasur një karrierë të ndritur si trajner, përmendet si një zëvendësues i mundshëm i Masimiliano Alegrit në momentin kur ky i fundit do të largohet nga kuqezinjtë. Van Basten ka treguar se ndjek me vëmendje futbollin italian, si për të provuar se është në dijeni të asaj që po ndodh dhe i gatshëm nëse merr një thirrje nga Italia.
“Balotelin do ta kisha drejtuar me shumë qejf, ndoshta vjen ndonjë ditë për stërvitje edhe te Herenven. Futbolli italian ka pësuar rënie, por Juventusi është treguar i zoti, pasi ka një organizim perfekt, Stadiumi “San Siro”? Trishtohem kur e shoh aq të boshatisur”, tha ai duke kritikuar më pas Romën dhe Interin për mënyrën se si kanë trajtuar dy futbollistë holandezë gjatë muajit të fundit.
“Nuk e kuptoj se si Roma mund të mbajë jashtë Stekelenburg, portierin më të mirë të Holandës. Te ne ekziston një koncept ndryshe për portierët, janë më të mësuar të luajnë me mbrojtësit. Ndërsa në Itali mjafton që të mos pësojnë gol. Përsa i përket Shnajder, Interi bëri maksimumin për ta larguar. Ka kërkuar justifikime dhe nuk e kuptoj arsyen e kësaj sjellje”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 February 2013 12:13