Valentino Rosi duket se nuk do ta harrojë lehtë mikun e tij Marko Simonçeli i cili u nda nga jeta pak muaj më parë gjatë një gare të Moto GP. “Doktori” ka vendosur të punësojë Keit Fredi, të fejuarën e pilotit italian, duke bërë të mundur që ajo të jetë përsëri pjesë e garave motoçiklistike.
Fredi do të jetë pjesë e “VR46”, kompanisë të krijuar nga Rosi që merret me logjistikën dhe marketingun e kampionit italian të Moto GP. Kjo kompani ka të drejtat e menaxhimit edhe për Toni Kairoli, Kampion i botës në Motokros, ndërsa nga viti i ardhëm kishte programuar që të menaxhonte edhe imazhin e të ndjerit Simonçeli.
Ndërkohë, Valentino Rosi nuk ka ngurruar të përmende mikun e tij edhe në mesazhin e Krishtlindjeve të publikuar në Twitter. “Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë miqtë e Twitter dhe faleminderit për ngrohtësinë dhe mbështetjen tuaj. Unë si dhuratë do të dëshiroja të më kthenin Siç”, ishin fjalët e Rosit.
Sunday, 25 December 2011 18:22