Ish-drejtori sportiv i Real Madrid, Horge Valdano, beson se humbjet e fundit të Barcelonës ndaj Real Madrid dhe Milan kanë dëmtuar shumë rëndë vetëbesimin e Barcelonës. Ai është shumë kureshtar të shohë se si do të reagojë skuadra në ndeshjen delikate të mesjavës kundër Milanit, ku katalanasve do t’u duhet të përmbysin një humbje 2-0 nëse synojnë të kalojnë turin në Ligën e Kampioneve.
“Besimi i Barcelonës ka përfunduar në humnerë brenda javës”, tha Valdano për “Marca”. “Askush nuk e di se si Barcelona do t’i përgjigjet këtyre vështirësive, pasi ata nuk janë ndeshur kurrë më parë me të tilla. Ndoshta ne të gjithë e kemi nënvlerësuar shumë rëndësinë e një trajneri te Barcelona”, vijoi ai, duke iu referuar mungesës së Tito Vilanova që gjendet në Nju Jork për çështje shëndetësore.
Më pas, Valdano komentoi edhe kalimin e turit në Ligën e Kampioneve nga Real Madrid, duke kritikuar Mançester Junajtid që qëndroi shumë pasiv pas shënimit të golit.
“Kur ata shënuan golin e avantazhit, thjesht u kthyen mbrapa dhe pritën, por harruan se kishte mbetur edhe shumë kohë. Ndaj ishte faji i tyre që u eliminuan”, ishte komenti i Valdanos. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 March 2013 14:27