Horge Valdano ka cilësuar “mediokër” ata persona të botës së futbollit të cilët nuk kanë dinjitetin “të vlerësojnë Barcelonën”, ndërsa nuk ka patur problem të pranojë se personi që e largoi nga Real Madrid, Zhoze Murinjo, ka një “raport të padiskutueshëm me suksesin”.
“Është mediokre të mos vlerësosh Barcelonën. Qëkur kam filluar të shoh futboll, nuk kam parë asnjë skuadër të luajë si kjo Barcelonë, duke treguar talent, zemërgjerësi dhe hierarki. Ka një vazhdueshmëri të madhe dhe një nivel të lartë pragmatizmi. Barcelona ka luajtur gjithmonë njëlloj dhe të gjitha variacionet e Guardiolës erdhën në mes të periudhës më të suksesshme”, tha ai në një intervistë televizivet dhënë për “TYC Sports Argentina”.
“Guardiola kishte guximin të ndryshonte përbërjen e futbollit në mes të një periudhe të suksesshme. Kjo i solli klubit fanticizmin ndaj stilit të lojës dhe është e drejtë të vazhdohet në rrugën e tij. E para vjen loja, pastaj vjen rezultati”.
Por ish-drejtuesi i Realit ka patur fjalë të mira edhe për klubin madrilen që u shpall kampion në Spanjë këtë sezon.
“Ka treguar një nivel shumë të lartë loje. Ka burime të pakufizuara në përbërje të ekipit. Nuk luan si Barcelona, por duhet thënë që është një ekip me konkurrencë të jashtëzakonshme. Murinjo është pragmatik dhe ka një raport të padiskutueshëm me suksesin”.
Në fund ai ka folur për dy argjentinas që aktualisht po shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare, Lionel Mesi dhe trajneri Marcelo Bielsa.
“Gjenitë e futbollit zakonisht kanë ulje dhe ngritje të cilat i falën në momente të vështira, por Lionel Mesi është një gjeni pa ndërprerje të tilla forme. Dukej e pamundur që të shfaqej në botë një tjetër Maradona, por ndodhi që ai lindi në të njëjtin djep (Argjentinë). Mesi është një mënyrë e ekzagjeruar e të qenit futbollist argjentinas”.
“Bielsa? Ka ndryshuar mënyrën e të luajturit dhe sjelljes te Atletik Bilbao. U kthye në një skuadër që mban më shumë topin, nga një ekip që e mbante më pak se të tjerët. Tani çdo ballkon në Bilbao mban një flamur të skuadrës dhe është krenar për atë që bën ky ekip. Një gjë është të arrish madhështinë me shumë burime dhe një gjë krejtësisht tjetër është të arrish madhështinë pa burime. Ndaj jam krenar për Bielsën”, deklaroi Valdano. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 15:01