Bajern Mynih është kampioni më i shpejtë në historinë e Bundesligës dhe njeriu më i shpejtë në botë, ka vendosur të festojë bashkë me ta këtë triumf. Usain Bolt u ka dërguar bavarezëve mesazhe urimi për titullin e 23-të kampion në Bundesligë, duke treguar se sa admiron këtë skuadër.
“Është e pabesueshme ajo që kanë bërë bavarezët në këtë sezon. Është e jashtëzakonshme të fitosh titullin në një kampionat kaq të fortë, kaq shpejt dhe me një diferencë kaq të madhe. Dua të përgëzoj Basti (Shvajnshtajger) dhe skuadrën, që ashtu si trajnerët kanë bërë një punë të shkëlqyer. E di që ka shumë njerëz që punojnë pas skene për rezultate të tilla”, ishte komenti i xhamajkanit.
“Kam parë shpesh ndeshjet e tyre. Basti është shefi në mesfushë, motori i skuadrës. Myler, Kros, Roben dhe Riberi janë gjithmonë të rrezikshëm, kanë shumë opsione në sulm. Me blerjet e reja, skuadra ka fituar më shumë forcë. Shpresoj që t’i gëzohen këtij momenti, por nëse presin edhe pak, ndoshta do të kenë arsye për një festim më të madh”, deklaroi Bolt duke iu referuar Ligës së Kampioneve.
“Jam i zhgënjyer që skuadra ime e preferuar, Mançester Junajtid, u eliminua. Por mendoj se Bajern ka një shans të mirë për të fituar Ligën e Kampioneve nëse luan në maksimum, edhe pse Reali e Barça duken shumë të fortë për momentin”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 07 April 2013 10:34