Ish-zëvendëspresidenti i FIFA-s, Xhek Uorner, ka paralajmëruar se FIFA po synon të kontrollojë Unionin e Futbollit Karaibik. Paralajmërimi i tij erdhi vetëm pak ditë pasi në zyrat e FIFA-s në Zyrih u zhvillua një takim i kësaj organizate, gjë që bie në kundërshtim më rregullat e saj. 68-vjeçari, i cili u largua nga detyra në qershor, tregoi se 26 nga 30 përfaqësuesit karaibikë në mbledhje kishin rënë dakort me disa ndryshime të propozuara nga FIFA.
“Mes vendimeve jo etike të cilat u miratuan nga 26 burra dhe gra frikacakë të pranishëm, ishte edhe ndërtimi i Komitetit Normalizues, i cili do të marrë përsipër detyrat e Unionit. Ky komision do të përbëhet nga 9 persona, përfshirë edhe Presidentin e pezulluar të Federatës së Xhamajkës, i cili do të rimarrë detyrën e tij me 16 janar 2012. Përveç kësaj, në këtë komision do të jetë edhe Anxheni Kanhai, që duhej të jepte dorëheqjen si Sekretar i Përgjithshëm i Unionit që me 20 dhjetor, duke provuar këtë farsë të përmasave epike. Me një vendim të vetëm, drejtuesit e futbollit karaibik kanë hedhur poshtë të gjithë punën e bërë në 33 vjet. Presidenti i FIFA-s nuk duhet të lejohet të poshtërojë më njerëzit me ngjyrë pa patur asnjë që të ngrejë zërin dhe t’i thotë mjaft. Ai nuk duhet të vazhdojë të gabojë pa u dënuar, sidomos nëse të gjitha bëmat e tij janë në të njëjtin vektor me megalomaninë, racizmin e mbuluar dhe diskriminimin”, ishte deklarata e ashpër e Uorner i cili dha dorëheqjen pak ditë para rizgjedhjes së Sep Blater si president i FIFA-s.
Sunday, 25 December 2011 13:53