Teo Uollkot ka paralajmëruar Totenhemin se tashmë nuk mundtë rrijë i qetë pasi Arsenali është kthyer më i fortë se kurrë dhe se shumë shpejt do të marrë vendin e tretë në renditje. Futbollisti i përfaqësueses angleze dha pasimin për golin e minutës së 95-të të shënuar nga Vermalen, që i dha suksesin 2-1 Arsenalit në ndeshjen e të hënës ndaj Njukasëll.
“Tani Totenhemi duhet të shohë pas shpine. Me skuadrën dhe lojtarët që kemi, si dhe me ata që po kthehen më në fund nga dëmtimet, ne mund të ecim shumë më përpara. Ka qenë një sezon me ulje e ngritje, por e rëndësishme është mënyra se si e mbyll atë”, u shpreh Uollkot rreth faktit që tashmë skuadra e tij është vetëm një pikë larg vendit të tretë që mbahet nga Totenhem.
Kjo ndeshje shënoi herën e parë ku një skuadër në kampionatin anglez fiton katër ndeshje radhazi pasi në të katërtat është gjendur në disavantazh 0-1. Trajneri Arsen Venger duket se tashmë është mësuar me përmbysje dhe i duken normale. “I thashë ndihmësit tim në minutën e fundit: ‘Një tjetër sulm dhe ne do të shënojmë’. Kaq shumë besim kam unë te skuadra!”, ishin fjalët e tekniku francezi i cili brenda pak javësh ka ditur të udhëheqë përsëri skuadrën jashtë një krize që i rrezikonte edhe vendin e punës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 March 2012 11:43