Teo Uollkot insiston se e meriton plotësisht të jetë pjesë e formacionit titullar, pasi e tregoi këtë duke shënuar në barazimin 2-2 të skuadrës së tij ndaj Shalke në Ligën e Kampioneve. Mesfushori i përfaqësueses angleze po kalon një formë të shkëlqyer gjatë kohëve të fundit dhe ka insistuar se do të ishte më rezultativ nëse Venger do ta aktivizonte më shpesh edhe si sulmues.
Por aktivizimi i tij ka mbetur peng i mosrinovimit të kontratës me klubin, pasi Venger dëshiron t’i japë më shumë hapësira atyre futbollistëve që e ka të sigurt se do të qëndrojnë edhe në sezonin tjetër.
“Unë thjesht dua të luaj, kjo është gjëja kryesore. Shpresoj që të kem mundësinë të jem pjesë e titullarëve pasi mendoj se e meritoj plotësisht. Unë thjesht dua që të luaj për këtë skuadër dhe mendoj se ajo ka shanse për të fituar kampionatin anglez në këtë edicion”, tha futbollisti anglez. “A ka lidhje rinovimi me mosaktivizimin tim? Të jem i sinqertë, për gjëra të tilla duhet të pyetni trajnerin”.
Sipas Uollkot, edhe një pikë e marrë ndaj Shalkes nuk ishte rezultat për t’u hedhur poshtë. Ai kishte mundësinë të shënonte golin e fitores në minutën e fundit por nuk arriti ta shfrytëzonte rastin që iu shfaq.
“Bëra maksimumin, por topi më mbeti i ngjitur në këmbë dhe nuk munda ta largoj për të gjuajtur. Janë gjëra që ndodhin, por në fund edhe një pikë ishte e mirë. Do të kishte qenë një fitore e shkëlqyer nëse do ta kishim arritur, duke parë se Shalke na dominoi në pjesën e dytë. Po të na kishit pyetur në fillimin e ndeshjes, do të ishim të gjithë të kënaqur me një pikë”, deklaroi ai. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 November 2012 17:12