Një lajm i bujshëm vjen nga Anglia.
Manchester United është mobilizuar për të gjetur pasuesin e Angel Di Marias, pas arritjes së një akordi me francezët e PSG-së për transferimin e mesfushorit. “Manchester Evening News” shkruan se ai quhet Cristiano Ronaldo. Po, po, Cristiano Ronaldo.
“Djajtë e Kuq” do të përpiqen të realizojnë rikthimin e madh. Vetë portugezi ishte shprehur më herët se nuk kishte ndërmend të largohej nga Madridi, pasi spekullimeve mediatike që i shoqëruan edhe ardhjen e Rafa Benitezit në krye të skuadrës. Por tani, edhe pas një incidenti të fundit në stërvitje, gjërat duket se kanë ndryshuar.
United kërkon të përfitojë maksimalisht nga kjo situatë duke bërë lëvizjen e tij në drejtim të portugezit. “Djajtë e Kuq” me merkaton e realizuar deri tani kanë treguar se paratë nuk mungojnë edhe për të realizuar transfertën e bujshme. Megjithatë për momentin gjithçka mbetet në kuadrin e spekullimeve mediatike.
Ajo që tashmë konsiderohet e mbyllur, edhe sipas “France Football” është marrëveshja e arritur mes “Djajve të Kuq” dhe francezeve të PSG-së për mesfushorin argjentinas Di Maria. Ishte spekulluar shumë për një largim të tij nga “ Old Trafford”, por tashmë gjithçka është zyrtare.
Për di Marian, PSG-ja do të paguajë 65 milionë euro, ndërsa United përsëri “del me humbje”, pasi një vit më parë e kishte blerë mesfushorin nga Reali për 75 milionë euro. Prestigjozja franceze shkruan se futbollisti pritet t’i nënshtrohet të shtunën vizitës mjekësore dhe më pas do t’i bashkohet skuadrës së re në Amerikë.
Friday, 24 July 2015 12:33