Shefi i skuadrës MekLaren, Martin Uitmarsh, është i bindur se asnjë skuadër nuk do të dominojë që në fillim kampionati e Formula 1 që nis këtë fundjavë në Australi. Ndryshe nga viti i kaluar ku skuadra Red Bull ishte menjëherë superiore ndaj gjithë të tjerëve, testimet e para sezonale në Herez dhe Barcelona nuk treguan një skuadër që dominonte ndaj kundërshtarëve dhe shfaqej pretendente për titull.
“Lajmi i keq është që ne nuk jemi dominues. Lajmi i mirë është që edhe të tjerët janë në të njëjtën pozitë”, tregoi Uitmarsh për mediat angleze. “Ne mendojmë se jemi konkurrues, makina duket e besueshme dhe dy pilotët tanë janë në formë. Siç thuhet në këtë pjesë të sezonit, ngarkesat me karburant, programimi i gomave dhe programet e testimeve ndërhyjnë në aftësinë e skuadrave për të bërë vlerësimin e paraqitjes. Por në bazë të ndjesive tona, themi se do të jemi konkurrues”.
“Do të doja të pranoja se luftojmë për titullin kampion. Por nuk dimë ta themi pas testeve të para, pasi mund të ketë qenë që kundërshtarët tanë i kanë zhvilluar provat me më pak karburant. Ne kemi dy pilotë të uritur për fitore dhe nëse fitojmë mjaftueshëm gara, mund të synojmë titujt kampion”, tha Uitmarsh.
Kuptohet që gjithë vëmendja është përqendruar te Luis Hemilton i cili kaloi një sezon zhgënjyes në vitin 2011. “Ai vendos standarde shumë të larta për vetveten. Ka fituar 3 gara në vitin e kaluar, por kjo duket se nuk i mjafton. Besoj se e keni parë gjatë testimeve se është tërësisht i përqendruar në dy gjëra: të mundë shokun e skuadrës dhe të mundë të gjithë të tjerët”, ishte batuta e Uitmarsh për ish-kampionin e botës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 March 2012 11:07