Endi Keroll mund të bëhet përfundimisht një lojtar i Uest Hem dhe do të vazhdojë karrierën e tij në radhët e klubit londinez, pasi Liverpuli ka pranuar ofertën prej 15 milion paund që iu bë për shitjen e 24 vjeçarit.
Sulmuesi ishte dhënë huazim nga Liverpuli, por duket se ka bindur drejtuesit e klubit të tij të ri t’i bënin një kontratë afatgjatë. Edhe pse futbollisti nuk ka pranuar ende ofertën që i është vënë para, ai mendohet se do ta bëjë një gjë të tillë shumë shpejt, pasi te Uest Hem është kthyer përsëri një lojtar vendimtar me golat e tij.
Keroll u transferua te Liverpuli në janarin e vitit 2011, kur u ble për 35 milion paund nga Njukasëll, duke thyer edhe rekordin për transferimin e një futbollisti britanik. Por ai zhgënjeu plotësisht në radhët e klubit të tij të ri, duke mos shfaqur asgjë nga cilësitë para porte që e kishin bërë të famshëm te Njukasëll. Kjo shtyu drejtuesit e Liverpulit ta huazonin te Uest Hem si dhe tani të jenë dakord për ta shitur atë për 15 milion paund, duke regjistruar një humbje prej 20 milion paund për një periudhë prej dy vitesh e gjysmë vetëm me këtë transferim.
Uest Hem duket se po bën përforcime të rëndësishme në këtë sezon, pasi ka lajmëruar se ka marrë nga Shakhtar Donetsk mbrojtësin Razvan Rat, si dhe po bisedon me kapitenin e Milanit, Masimo Ambrosini për ta bindur të transferohet në Angli. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 May 2013 09:35