UEFA dhe Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për rastet e manipulimit të ndeshjeve të futbollit. Për këtë qëllim, vendin tonë këto dy ditë e ka vizituar drejtori i Departamentit për Luftën Ndaj Trukimit të Rezultateve në UEFA, Pierr Kornu.
Fillimisht ai ka shfrytëzuar këtë vizitë në vendin tonë për të diskutuar këtë problematikë me drejtuesit e FSHF-së, ndërsa ka bashkëbiseduar edhe me anëtarët e Komisionit të Etikës pranë institucionit të futbollit shqiptar.
Gjatë ditës së sotme ai ka vizituar Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë, ku është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi të përbashkët në rastet e hetimit të ndeshjeve të manipuluara në vendin tonë.
Ndonëse në Shqipëri ka patur vazhdimisht aludime për manipulime ndeshjesh, Prokuroria shqiptare nuk është vënë asnjëherë në lëvizje për të hetuar akuzat që janë hedhur nga palë të ndryshme, përfshirë edhe vetë UEFA-n që ka dërguar herë pas here dosje të detajuara në vendin tonë. Kjo indiferencë ka ardhur edhe pse trukimi i ndeshjeve është i përfshirë si vepër penale në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, i dënueshëm me gjobë ose deri në 7 vite burg.
Falë kësaj marrëveshje, Prokuroria Shqiptare do të vihet në lëvizje sapo të ketë një sinjalizim nga UEFA e cila ka ndërtuar një sistem botëror gjurmimi dhe vëzhgimi të basteve, duke evidentuar rezultatet e çuditshme apo bastet “jologjike”. Ky sistem vëzhgon edhe fluksin e parave në kompanitë e basteve në të gjithë botën, duke bërë më të lehtë të evidentohen rezultatet e ditura që para ndeshjes.
Gjatë vizitës në Shqipëri, zyrtari i UEFA-s, ka këshilluar FSHF të vihet në lëvizje dhe të marrë masa për dosjet e njëpasnjëshme që u janë dërguar mbi trukimin e mundshëm të rreth 50 ndeshjeve gjatë dy sezoneve të fundit. UEFA ka bërë të ditur se kjo është koha e duhur për të vënë në lëvizje edhe Prokurorinë Shqiptare për të vërtetuar manipulimet. (LajmeShqip.com)
Thursday, 03 May 2012 12:33