Klubi kroat i futbollit, Dinamo Zagreb, ka njoftuar se UEFA ka shtyrë vendimin për suspendimin e mesfushorit shqiptar, Arijan Ademi, për datën 16 nëntor.
Komisioni Disiplinor i UEFA-s është dashur që të martën ta marrë vendimin pas hapjes së procedurës kundër shqiptarit, i cili rezultoi pozitiv në doping edhe në testin B. Për herë të parë, ai kishte dalë pozitiv pas ndeshjes me Arsenalin, në kuadër të xhiros së parë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Komisioni Disiplinor i UEFA-s mund ta suspendojë reprezentuesin e Maqedonisë deri në katër vjet, shkruan sot Koha Ditore.
“UEFA ka vendosur që ta shtyjë vendimin për tri javë në lidhje me Ademin, që doli pozitiv në testet e dopingut. Kështu që Komisioni Disiplinor vendimin e vet do ta marrë më 16 nëntor.
Kujtojmë që UEFA ka hapur procedurë disiplinore kundër Arijan Ademit, pasi rezultatet e kontrollit të dopingut pas ndeshjes me Arsenalin ishin pozitive. Njëjtë kishte rezultuar edhe testi B”, njofton klubi kroat
Wednesday, 28 October 2015 19:07