UEFA ka lënë në dorën e Çelsit të vendosë rolin e Xhon Territ në ceremoninë e dorëzimit të trofeut të Ligës së Kampioneve, nëse fitojnë apo munden në Mynih.
Kapiteni i dytë, Frenk Lampard, shpreson që të ngrejë trofeun evropian bashkë me Terrin, ashtu siç vepruan me Kupën FA, ndërsa protokolli i UEFA-s e lejon një gjë të tillë, ndonëse Terri nuk mund të aktivizohet në këtë ndeshje pasi është pezulluar.
Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka bërë të qartë se një përfaqësues i klubit do të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së medaljeve duke udhëhequr lojtarët, siç ka ndodhur më parë me Joan Laportën dhe Masimo Moratin.
Çelsi do të vendosë vetëm pak para finales së kush do të udhëheqë lojtarët në tribunë, gjithmonë nëse do të ketë një të tillë. Mendohet se kjo mund të jetë një nga detyrat e Territ, i cili do të jetë “civil” në këtë ndeshje për shkak të kartonit të kuq që mori në gjysmëfinale dhe që nuk e lë të aktivizohet në përballjen me Bajern Mynih. (LajmeShqip.com)
Monday, 07 May 2012 09:05