Kombëtarja shqiptare e futbollit U-21 ka mbyllur eliminatoret e saj në Kampionatin Evropian 2013 duke zënë vendin e fundit në grup. Në këtë edicion të filluar nga trajneri Artan Bushati dhe të përfunduar nga trajneri Skënder Gega, më shumë është punuar për brezin e ardhshëm, duke parë se një pjesë e mirë e lojtarëve të kësaj përfaqësueje kanë qenë shpesh pjesë e kombëtares së madhe.
Në ndeshjen e fundit në grup, atë kundër Moldavisë në Kishinau, ndeshja ka filluar menjëherë me vështirësi për ekipin shqiptar pasi Fejzullahu shkakton një 11-metërsh që në minutën e 8-të. Haceaturov hipnotizohet nga portieri Frashëri që pret gjuajtjen e tij, por gardiani shqiptar nuk mund të devijojë goditjen e dytë të suluesit kundërshtar që përfundon në rrjetë.
Avantazhi i shpejtë i Moldavisë trondit kuqezinjtë të cilët e kanë të vështirë të ndalin sulmuesit kundërshtarë. Kalojnë vetëm 7 minuta dhe Shqipëria ndëshkohet me një tjetër 11 metërsh, ku këtë radhë është vetë portieri Frashëri që ndalon në mënyrë të parregullt sulmuesin kundërshtar. Por gardiani shqiptar arrin të ndalë gjuajtjen e Gisari duke shpëtuar portën e tij nga një tjetër gol.
Që nga ai moment, kontrollin e lojës e merr Shqipëria, që ka më shumë shanse për të shënuar në portën kundërshtare, por pa arritur ta bëjë një gjë të tillë. Në të kundërt, në minutat e fundit, kur po kërkohej me ngulm goli i barazimit, janë moldavët që shënojnë golin e dytë me Leuca.
Gjithsesi, në minutat shtesë të ndeshjes, Premçi arrin të shënojë golin e nderit pas një goditje nga këndi, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2-1 të kësaj sfide.
Shqipëria i ka luajtur të 8 ndeshjet e saj në grup, duke marrë 5 pikë në këto eliminatore, falë fitores 4-3 me Moldavinë në Shqipëri, barazimit 2-2 me Portugalinë po në vendin tonë dhe barazimit 0-0 me Rusinë në fushën e kësaj të fundit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 06 September 2012 19:44