Alehandro Valverde ka festuar kthimin e tij në Turin e Francës pas tre viteve mungesë, duke fituar etapën e fundit malore të këtij edicioni.
Spanjolli, i pezulluar për përfshirjen në çështjen e skandalit të operacionit “Puerto”, u shkëput i vetëm në ngjitjen e parafundit të etapës së 17-të dhe që aty vazhdoi drejt finishit, për të marrë suksesin e 4-t në karrierën e tij në garën franceze.
32 vjeçari e mbylli këtë etapë 18 sekonda para dy britanikëve Kristofer From dhe Bredli Uigins, me këtë të fundit që duket se ka siguruar titullin kampion të këtij edicioni. Vetëm ndonjë dëmtim fatkeq mund t’i heqë atij nga duart vendin e parë, pasi ka distancuar të gjithë rivalët e terë përveç bashkëkombësit që e ka njëkohësisht edhe shok skuadre.
From dukej aq në formë sa që kishte mundësinë të shkëputej dhe të kapte Valverde për të fituar etapën, por ai vendosi të sakrifikonte për Uigins, duke e ndihmuar këtë të fundit të shkëputet më shumë nga ndjekësit e tij të tjerë.
Italiani, që mban vendin e tretë në renditjen e përgjithshme, Vinçenco Nibali, e përfundoi garën 19 sekonda pas tyre dhe tani nuk duket se përbën rrezik për dy britanikët. Ndërkohë, fanellën me pika të ngjitësve e fitoi përfundimisht francezi Tomas Vokler, i cili fitoi të tre finishet e ndërmjetme në ngjitje të etapës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 July 2012 17:55