Bredli Uigins dhe skuadra e tij “Team Sky” treguan qartësisht ambiciet që kishin për këtë edicion që pas etapës së parë malore të këtij viti, pasi arritën të rrëmbenin njëkohësisht kreun e renditjes së përgjithshme, fitoren e etapës dhe fanellën e “mbretit të maleve”.
Në etapën e sotme prej 199 kilometrash, finishi ishte në një ngjitje jo shumë të gjatë, prej 5.9 kilometrash, por që mjaftoi për të ndarë pretendentët e fitores së Turit të Francës nga pjesa e tjetër e grupit pasi emrat që janë aktualisht në krye të renditjes janë me shumë mundësi ata që do të luftojnë për t’u ngjitur në podiumin më të lartë pas dy javësh kur turi të mbyllet në Paris.
Etapën e fitoi britaniku Kris From, i cili shpërtheu në 100 metrat e fundit të garës duke mundur kampionin në fuqi Kadel Evans me dy sekonda diferencë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Bredli Uigins, e përfundoi etapën i treti me të njëjtën kohë. Françesko Nibali përfundoi garën në vendin e katërt, me 7 sekonda diferencë nga From.
“Objektivi im kryesor sot ishte të merrja fanellën e verdhë. Kjo është një ëndërr që bëhet realitet. Çfarëdo që të ndodhë më vonë në këtë tur është thjesht diçka pozitive”, deklaroi Uigins, i cili bëhet britaniku i parë që merr kryesimin e Turit të Francës që nga koha e David Milar në vitin 2000. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 July 2012 19:14