Bredli Uigins ka arritur t’i rezistojë sulmeve të rivalëve dhe të mbrojë fanellën e verdhë të liderit të Turit të Francës, gjatë etapës së 10-të të garës që tashmë po kalon përmes Alpeve.
Etapa prej 194.5 kilometrash i shkoi francezit Tomas Vokler, i cili dominoi të tre ngjitjet e kësaj etape, përfshirë edhe atë shumë lodhëse të Kolombier 43 kilometra nga finishi, por që këtë edicion nuk solli ndryshime të mëdha në renditjen e përgjithshme, ndonëse është një ngjitje jashtë kategorie.
Belgu Jurgen Van Den Bruk sulmoi tre herë gjatë kësaj ngjitje, por në të tre rastet u arrit nga skuadra e Uigins, “Sky”. Ndërsa Vinçenco Nibali sulmoi gjatë zbritjes, duke arritur deri në 1 minutë diferencë nga Uigins, për t’u arritur më pas nga grupi i pretendentëve kur mbeteshin edhe 21 kilometra nga përfundimi i etapës.
Vokler e meritoi plotësisht fitoren e tretë në Turin e Francës gjatë karrierës së tij, ndërsa arrti të kalonte në finish italianin Mikele Skarponi dhe gjermanin Jens Voigt. (LajmeShqip.com)
Renditja e Turit të Francës pas etapës së 10-të
1. Bredli Uigins 43 orë 59’02”
2. Kadel Evans +1’53”
3. Kristofer From +2’07”
4. Vinçenco Nibali +2’23”
5. Denis Mençov +3’02”
6. Haimar Zubelda +3’19”
7. Maksim Monfort +4’23”
8. Jurgen Van Den Bruk +4’48”
9. Nikolas Roshe +5’29”
10. Tixhei Van Garderen +5’31”
Wednesday, 11 July 2012 17:31