Peter Sagan fitoi etapën e tij të tretë në këtë Tur të Francës, në ditën kur shumë prej pretendentëve për fitoren e këtij edicioni u përfshinë në një rrëzim masiv rreth 25 kilometra para finishit në Metz.
Sllovaku i skuadrës “Liquigas” kaloi në sprintin final gjermanin Andre Greipel (Lotto Belisol) dhe çiklistin australian Mat Gos (Orica GreenEdge), duke siguruar fitoren e tre garave në vitin e tij të debutimit në turin më të famshëm çikistik në botë.
Por gara u përfshi përsëri nga kaosi pasi një rrëzim masiv përfshiu shumë çiklistë që e kanë filluar edicionin si pretendentë për fitoren përfundimtare, mes të cilëve Frenk Shlek (RadioShack), Janez Brajkoviç (Astana), Mikele Skarponi (Lampre), Robert Gesink (Rabobank) dhe Alehandro Valverde (Movistar), të cilët kanë humbur më shumë se dy minuta në renditjen e përgjithshme për shkak të këtij incidenti.
Zvicerani Fabian Kançelara arriti të përfundonte qetësisht brenda grupit të madh përkrah favoritëve Kadel Evans (BMC) dhe Bredli Uigins (Team Sky), duke arritur të ruajë fanellën e verdhë.
Në javën në vazhdim fillojnë etapat malore dhe aty dihet që në skenë do të dalin emrat e zakonshëm të ngjitësve të cilët do të rikuperojnë ndaj sprinterëve që dominuan turin në këto etapa të para. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 July 2012 16:52