Turi i Francës ka marrë një tjetër goditje të rëndë ndaj reputacionit të kësaj gare pasi një tjetër emër i njohur, luksemburgasi Frank Shlek, rezultoi pozitiv në testin antidoping ndaj një diuretiku, pas analizave të kryera të shtunën.
Federata Botërore e Çiklizmit bëri të ditur se substanca xipamide ishte gjetur në sistemin e 32 vjeçarit. Menjëherë pas publikimi të lajmit, çiklisti i skuadrës Radioshak u tërhoq menjëherë nga gara, edhe pse nuk kishte bërë ende testin B për të provuar një pafajësi të mundshme.
Shlek është një emër mjaft i njohur në çiklizmin botëror dhe sidomos për sportin në Luksemburg ku ai dhe vëllai i tij i vogël, Andi, janë ikonat e sportit në këtë vend.
Andi, që mungon këtë vit në Turin e Francës për shkak të një dëmtimi, u shpall fituesi i viti 2010, pasi spanjollit Aleberto Kontador iu hoqën titujt sepse rezultoi pozitiv ndaj clenbuterol.
Kjo ishte edhe një tjetër goditje e rëndë për skuadrën Radioshak, të krijuar në vitin 2010 nga Lens Armstrong dhe menaxheri i tij Johan Bruinel. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 July 2012 11:54