Një klub futbolli në Hungari, ku shumë ish-lojtarë apo futbollistë aktualë po hetohen për shitje ndeshjesh, ka bërë të ditur se drejtori sportiv ka kryer vetëvrasje.
Skuadra e Budapestit, REAC, ka njoftuar se Robert Kutasi është ndarë nga jeta ditën e enjte dhe sipas raportit të policisë, 48 vjeçari është hedhur nga një ndërtesë.
Gjashtë futbollistë të REAC u ndaluan nga policia të martën dhe mbahen në masë arresti paraprak për shkak të skandalit të trukimeve të ndeshjeve që ka shpërthyer në Hungari, ku prokuroria deri tani ka marrë në pyetje 25 persona.
Por pavarësisht arrestimeve të lojtarëve të REAC, asnjë prej zyrtarëve të klubit apo vetë klubi nuk dyshohet se janë përfshirë në këtë çështje.
Kutasi prej kohësh ka qenë një figurë udhëheqëse në luftën anti-korrupsion në futbollin hungarez. Por ngjarja e fundit e ka tronditur jashtë mase sa që disa ditë më parë i tha edhe gazetës “Nemzeti Sport” se “jeta e tij kishte përfunduar”. Fatkeqësisht, ky paralajmërim nuk u morr seriozisht nga askush. (LajmeShqip.com)
Saturday, 03 March 2012 08:31