Një vale tjetër arrestimesh ka goditur futbollin italian, pasi disa dëshmi dhe pamje filmike kanë vërtetuar përfshirjen e futbollistëve të njohur të Xhenoas e Lacios në trukimin e rezultateve të ndeshjeve. Informacionet për këto trukime kanë ardhur nga Hungaria, ku ish-futbollisti i Tiranës, Zoltan Kenesei, ka vendosur të tregojë para hetuesve se si manipuloheshin ndeshjet në Itali.
Gjatë mëngjesit të sotëm janë dhënë 19 urdhra arresti dhe kërkesa për paraqitje të personave të ndryshëm të përfshirë në këtë çështje, ndërsa mes të hetuarve janë edhe mbrojtësi i kombëtare italiane, Domeniko Krishito dhe trajneri i Juventusit, Antonio Konte.
Për të parin, policia ka qenë sot e pranishme në Koverçiano, qendrën stërvitore të përfaqësueses, ku ka kontrolluar dhomën e futbollistit që aktualisht luan me Zenit Shën Petersburg në Rusi.
Ndërkohë, është kontrolluar edhe shtëpia e Antonio Konte, pasi janë kërkuar të dhëna rreth të kaluarës së tij si trajner i Sienës. Atij i janë sekuestruar kompjuteri dhe telefoni celular, ndërsa hetohet si person në dijeni të ngjarjeve, pasi ish-ekipi i tij akuzohet për trupimin e disa ndeshjeve.
Mes të arrestuarve janë kapiteni i Lacios, Stefano Mauri dhe ish-futbollisti i Xhenoas Omar Milaneto. Këta të dy kanë qenë dakord që nëpërmjet “celulës hungareze” të bashkëpunonin për trupimin e ndeshjes mes dy skuadrave.
Në foto të marra nga kamerat e sigurisë së një hoteli, duket qartë Domeniko Krishito që bashkëbisedon me personat e dyshuar, ndërsa mes tyre identifikohet edhe shtetasi shqiptar Kujtim Qoshi, i cili vlerësohet si bashkëpunëtor i një shtetasi boshnjak, i përfshirë në manipulimin e ndeshjeve. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 12:30