Komisioni i Disiplinës në Federatën Italiane të Futbollit ka marrë sot listën me emrat e personave dhe përgjegjësive të ndara nga Prokurori i Përgjithshëm Stefano Palaci rreth çështjes së trukimit të rezultateve të kampionatit italian të futbollit.
Situata më e rëndë është ajo e mbrojtësit të Juventus dhe kombëtares italiane të futbollit, Leonardo Bonuçi, i cili hetohet për parregullsi sportive, bashkë me ish-shokët e skuadrës te Bari si Daniele Portanova, Andrea dhe Salvatore Masielo, Alesandro Parisi dhe Nikola Belmonte.
Të gjithë këta futbollistë janë të përfshirë në çështjen e trukimit të rezultatit për ndeshjen Udineze-Bari të dy sezoneve më parë. Lojtarët kanë rënë dakord që rezultati të manipulohej dhe të shënoheshin më shumë se tre gola, ndërsa takimi të përfundonte në barazim.
Po për ndeshjen Udineze-Bari, është i hetuar edhe Simone Pepe, për të cilin ka një akuzë më të lehtë, atë të qenies në dijeni të fakteve dhe moskallëzimit.
Për mungesë kallëzimi hetohet edhe trajneri i Juventus, Antonio Konte, i cili mendohet se ka qenë në dijeni të trukimit të ndeshjeve Novara-Siena dhe Albinolefe-Siena po të dy sezoneve më parë.
Mes klubeve, ata që rrezikojnë më shumë janë Leçe dhe Groseto, të cilat mendohet se kanë qenë të përfshira në nivel drejtuesish në trukimin e rezultateve dhe rrezikojnë rënien në futbollin amator, ndërsa parashikohen gjoba dhe penalizime për shumë skuadra të tjera mes të cilave Siena, Udineze e Bari. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 11:40