Mateo Xhianelo, ish-portieri i Napolit, ka konfirmuar para hetuesve të Federatës Italiane të Futbollit se ka tentuar manipulimin e ndeshjes Sampdoria-Napoli të 16 majit 2010.
Si rrjedhojë e këtij pohimi, Napoli rrezikon një sanksion të rëndë, ashtu si Paolo Kanavaro e Xhanluka Grava, dy futbollistët e kontaktuar nga portieri.
Të dy këta lojtarë kanë hedhur poshtë gjithmonë zërat për përfshirjen e tyre, por tani rrezikojnë seriozisht një dënim, ndonëse ai pritet të jetë i lehtë, për mungesë denoncimi ndaj tentativës së korrupsionit.
“Ka qenë një pyetësor normal, Xhianelo ka konfirmuar atë që ka thënë më parë për prokurorinë e shtetit në Napoli, pa dhënë detaje të tjera”, ishin fjalët e avokatit të portierit italian.
Ky i fundit kishte kërkuar të shtynte seancën dëgjimore për shkak të një problemi shëndetësor, por më pas është detyruar të udhëtojë drejt Romës ku më pas ka folur para hetuesve të Federatës për rreth dy orë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 July 2012 10:50