Ndeshja e Ligës së Kampioneve mes Inter dhe Barcelonës me 20 prill 2010 nuk do të kujtohet vetëm sepse i hapi rrugën skuadrës që drejtohej nga Zhoze Murinjo të fitonte këtë trofe, por edhe për fillesën e marrëveshjes ndërkombëtare për trukimin e rezultateve në kampionatin italian.
Pikërisht gjatë kësaj ndeshje janë mbledhur në stadiumin e qytetit të Milanos përfaqësuesit e grupit të “ciganëve”, hungarezët, si dhe “shefi” i tyre nga Singapori,
Tan Set Eng.
Konfirmimi vjen nga disa përgjime telefonatash ku në një prej tyre, Matias Lazar, flet me Laios Baraniai. “Kemi në takim në Itali, vjen me avion ai personi nga Azia. Në ka ftuar në ndeshjen Inter-Barcelona dhe aty do të bëhen hesapet”.
Sipas hetuesve italianë, “personi nga Azia” është pikërisht Tan Set Eng, ndërsa grupit i bashkohet edhe Zoltan Kenesei, ish-mesfushori i Tiranës, i cili vlerësohet si “përgjegjës i grupit kriminal hungarez”. Ai konfirmon praninë e tij nëpërmjet bisedave telefonike ku u tregon shokëve të tij sesi ka një biletë të mirë përballë hyrjes së lojtarëve.
Nga ana tjetër, në këtë ndeshje është i pranishëm edhe maqedonasi Hristian Ilievsi, përgjegjës i grupit sllav me nofkën “ciganët” që kishte për detyrë dorëzimin e parave.
Si rrjedhojë, hetuesia italiane dhe ajo hungareze, po shohin me vëmendje filmimet e ndeshjes Inter-Barcelona për të vërtetuar praninë e këtij grupi kriminal në stadiumin “San Siro”. Gjatë kësaj ndeshje është arritur edhe një akord për trukimin e ndeshjes Leçe-Lacio, ku lojtarëve të përfshirë u janë dhënë 600 mijë euro, ndërsa grupi kriminal ka fituar të paktën 2 milionë euro. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 May 2012 13:20