Filipo Karobio ka përfshirë Antonio Konten në çështjen e trukimit të ndeshjeve në Serinë A dhe B. Ish-futbollisti i Sienës, i cili vlerësohet “i besueshëm” nga hetuesit, ka treguar detaje për 2 marrëveshje në të cilat sipas tij është përfshirë edhe tekniku aktual i Juventusit. Sipas Karobios, edhe drejtuesit e Sienës ishin në dijeni të këtyre ndeshjeve të manipuluara të cilat ndihmonin skuadrën të ngjitej në Serinë A.
Ndeshjet për të cilat flitet se është përfshirë Konte, janë dy: Novara-Siena 2-2 dhe Albinolefe-Siena 1-0. Në rastin e parë, Karobio në dëshminë e tij saktëson se “kishte një akord për barazimin dhe u diskutua kjo temë gjatë mbledhjes teknike. Ishim të gjithë të ndërgjegjshëm për rezultatin e arritur me marrëveshje, sidomos për faktin se duhej të silleshim në mënyrë të tillë gjatë ndeshjes. Vetë trajneri Antonio Konte na tha se duhej të qëndronim të qetë pasi kishim arritur akord me Novarën”, thotë Karobio, i cili ka përmendur edhe disa shokë të skuadrës së tij dhe të ekipit kundërshtar.
Për ndeshjen e dytë, Karobio nuk ka hyrë në detaje të thella por ka treguar se kishte patur kontakte mes lojtarëve të dy skuadrave për t’i lënë ndeshjen me rezultat minimal Albinolefes për të ndihmuar në pjesëmarrjen në play-off të këtij ekipi. Edhe në këtë rast, sipas tij, gjatë javës ishte diskutuar shpesh kjo çështje mes lojtarëve, stafit teknik dhe drejtuesve të ekipit të cilët ishin dakord.
Asnjë futbollist tjetër i Sienës nuk ka mbështetur deklaratat e Karobios, në të kundërt, kanë refuzuar fuqimisht që dinin gjë apo që Konte të ishte i përfshirë. Gjithsesi, tekniku i kampionëve të Juventusit rrezikon një dënim të rëndë nëse vërtetohet përfshirja e tij.
Vetëm në rastin e mosdeklarimit të marrëveshjeve mes skuadrave, ai rrezikon një vit pezullim, i cili shkon në 3 nëse vërtetohet se ka qenë pjesëmarrës aktiv në manipulimin e rezultatit. (LajmeShqip.com)
Friday, 18 May 2012 13:20