Trukimi i ndeshjeve në Itali, i kthyer tashmë në një hetim ndërkombëtar për shkak të përfshirjes së shtetasve nga vende të ndryshme, ka bërë bujë jo vetëm për shtrirjen e kësaj organizate kriminale, por edhe për mënyrat sesi operohej për të realizuar fiksimin e një rezultati.
“Ciganët”, ata që kishin për detyrë të kontaktonin me lojtarët, shëtitnin nëpër hotelet ku grumbulloheshin skuadrat me një tufë bankënotash prej 500 eurosh të cilat ua valëvitnin lojtarëve në fytyrë. “Janë tuajat, mjafton që të sigurosh trukimin: 50 mijë euro për rezultatin over (mbi tre gola), diçka më shumë për over 3.5. Arrijmë deri në 100 mijë nëse arrin të sigurosh rezultatin përfundimtar”.
Kjo ishte mënyra e punës dhe një skenë e tillë është përsëritur disa herë gjatë viteve të fundit, pasi këta ishin të vetmit persona që mund të qarkullonin me paratë që vinin nga Singapori i largët nëpërmjet aeroportit të Milanos.
Banda e Almir Gegiç, serbit me pasaportë turke, kontaktonte direkt me lojtarët duke shfrytëzuar njohjet e futbollistëve që tashmë ishin në rrjetën e trukimeve dhe që e kishin bërë më parë një gjë të tillë. Hetuesit do të dëgjojnë dëshminë e Karlo Gervasonit, i cili ka qenë një prej ndërmjetësve në rastin kur Vitorio Mikoluçit iu propozua që të trukonte ndeshjen e Novarës.
Mikoluçi, ish-mbrojtësi i Askolit, është “i penduari” i parë i rrjetit ndërkombëtar të trukimeve dhe tregimi i tij ka zbardhur gjithçka. Në atë periudhë, Askoli ishte në krizë, nuk u paguante rrogat lojtarëve, ndërsa Mikoluçi mbetet pa para dhe përfshihet në trukime, por pa e ditur se po kontrollohej nga një organizatë kriminale. Ai zbulon gjithça pas takimit me Gervasonin. Ja çfarë u ka treguar ai hetuesve të çështjes:
“Ata mbërritën me një Mercedes me targa të huaja që nisej nga i huaji me fytyrën pa shenjë, i cili luante rolin e përkthyesit për të huajin tjetër që kishte një të çarë në fytyrë dhe që fliste anglisht. Mund të ishin 30-35 vjeçarë dhe asnjë prej tyre nuk dukej si atlet (në fakt njëri është Almir Gegiç, i regjistruar si lojtar u Kiasos në Zvicër). Personi me shenjë në fytyrë kishte trup të mbushur, ndërsa shoku i tij ishte i shkurtër dhe i dobët. U çudita kur i pashë me Gervasonin”.
Sllavët ftojnë Mikoluçin të hipi në makinë, ndonëse lojtari i trembej një hakmarrje. “Mendova se donin të më rrihnin dhe isha i frikësuar por Gervasoni më qetësoi: “Qetësohu, janë persona të besuar”. Ndërsa cigani me shenjë më shpjegonte se bastet viheshin vetëm në faqet aziatike, ai tregoi disa tufa kartëmonedhash, të gjitha prerje nga 500 euro. Gjithsej mund të ishin 150 mijë euro. Ai dëshironte përfshirjen e shokëve të tjerë të mi, refuzova pasi nuk mund ta garantoja. Kam mësuar më vonë se i njëjti propozim iu bë Pedercolit, në atë kohë mesfushor i Askolit dhe ishte vetë ky i fundit që më tregoi. Mendoj që në atë takim ka patur edhe futbollistë të tjerë. Ata refuzuan, ishte shumë e vështirë që të plotësoheshin të gjitha kërkesat dhe për më tepër, në atë periudhë Askoli luante për mbijetesë. Kishin kërkuar edhe që të mbetesha larg fiksimit të rezultateve por isha i skualifikuar. Roli i Gervasonit? Nuk ma saktësoi mirë por arriti të më thoshte se prej një viti ishte ai pika e referimit për ciganët. Kjo do të thotë se e bënte një gjë të tillë në skuadrat ku luante si Mantova, Kremoneze apo Piaçenca”, ishte tregimi i Mikoluçit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 December 2011 14:20