Dy skuadrat kosovare të futbollit, Prishtina dhe Trepça ’89, synojnë që sezonin e ardhshëm të luajnë në kampionatin shqiptar të futbollit, informacion i cili është konfirmuar nga presidenti i ekipit të Prishtinës, Remzi Ejupi. Sipas tij, klubet po bëjnë përgatitjet të dorëzojnë kërkesën e tyre në FSHF, pasi po plotësojnë procedurat që nevojiten për të realizuar këtë objektiv.
“Është e vërtetë që po merremi me diçka të tillë, por ia kemi lënë në dorë avokatit tonë, i cili ndodhet në Tiranë, që të merret me dokumentacionin e nevojshëm që ne të regjistrohemi në kampionatin shqiptar të futbollit”, u shpreh Ejupi për “Panorama Sport”. “Avokati po merret me përgatitjen e gjithë dosjes juridike, konform rregullave dhe statutit të FSHF-së, FIFA-s dhe UEFA-s. Si fillim do të bëjmë një regjistrim në një qytet të Shqipërisë, ku do kemi edhe selinë dhe më pas do bëjmë edhe kërkesën zyrtare në FSHF”.
“Realisht, kjo është pjesa më e lehtë për ne, pasi nuk kemi asnjë problem apo për sa i përket zgjedhjes së qytetit apo vendit. Nëse do regjistrohemi në Tiranë, ndoshta do të ishte më mirë, por gjithsesi ka pak rëndësi. Pasi të bëjmë kërkesën te një bashki në Shqipëri, do kërkohet që të miratohet formalisht selia e klubit edhe nga ana e Këshillit Bashkiak të atij qyteti dhe pas kësaj do shkojmë në FSHF për të formalizuar për më tej dëshirën tonë për të marrë pjesë në kampionatin shqiptar”, tha ai duke shpresuar që anëtarët e FSHF-së të miratojnë futjen e dy klubeve kosovare direkt në Kategorinë Superiore dhe jo të nisin rrugëtimin e tyre nga niveli më i ulët, Kategoria e Tretë.
Sipas Ejupit, as ana infrastrukturore nuk do të ishte problem, duke parë rregulloret aktuale të FIFA-s dhe UEFA-s.
“Me regjistrimin në Shqipëri, duke u bërë pjesë e Superiores, nuk do ketë probleme pastaj për stadiumet. Duke iu referuar rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s, ka pak rëndësi ku i zhvillon ndeshjet, e rëndësishme është që ai stadium t’i plotësojë kushtet për të tilla takime. UEFA dhe FIFA dërgojnë inspektorët e tyre për të parë gjendjen e fushës, dhomat e zhveshjes, si dhe sigurinë, gjëra të cilat si impianti i Prishtinës, edhe ai i Trepçës i plotësojnë më së miri. Në Mitrovicë, deri vonë janë zhvilluar ndeshje ndërkombëtare, çka tregon se kjo nuk ka për të qenë aspak problem”, deklaroi Ejupi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 January 2013 17:40