Adidas ka publikuar zyrtarisht listën me emrat më të mundshëm për topin me të cilin do të luhet Kupa e Botës 2014 dhe i ka kërkuar fansave të bëhen pjesë aktive duke votuar për të përzgjedhur emrin e topit.
Të tre emrat e përzgjedhur janë portugezë në gjininë femërore, duke konfirmuar stereotipin e mendimit brazilian për topin, që e shohin si një grua që duhet përkëdhelur e kujdesur për të.
Emri i parë është “Carnavalesca”, një fjalë që përshkruan një person që merr pjesë apo punon për festimet e aktivitetit më spektakolar vjetor të këtij shteti.
Pas saj vjen “Bossa Nova”, një referencë ndaj zhanrit të muzikës samba-xhaz e cila u bë shumë popullore në rrugët e Rio De Zhaneiro në vitet ’50-’60.
Në fund, emri i tretë është “Brazuca”, e cila është një fjalë joformale e përdorur nga brazilianët, me të cilën Adidas mendon se mund të përshkruhet karakteri antikonformist i brazilianëve.
Koncepti i emërimit të topit të Kupës së Botës filloi në vitin 1970 në Meksikë me modelin Telstar. Që atëherë, disa nga modelet më të njohur janë Tango në Argjentinë 1978, Azteka në Meksikë 1986 dhe së fundmi Jabulani në Afrikë e Jugut 2010.
Ish-futbollisti brazilian Romario, i cili tashmë është kthyer në një politikan, e komentoi me humor këtë veprim të Adidas, duke shprehur habinë pse në listë nuk figuronte emri përkëdhelës “Gorduchinha”, që ka kuptimin “topolake”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 14 August 2012 08:40