Xhovani Trapatoni është një nga personazhet më të njohur në historinë e futbollit botëror edhe për shkak të deklaratave të tij ku nuk kursehet me shprehjet që lëshon herë pas herë. Këtë radhë, ai ka folur për temën e basteve dhe atë që zbuloi “Europol” pak ditë më parë, duke shtuar se një gjë e tillë mund të kishte ndodhur edhe gjatë periudhës kur drejtonte skuadrën e Red Bull Salcburg në Austri.
“Kjo është një mafie botërore, e pabesueshme ajo që kam lexuar gjatë këtyre ditëve në media të ndryshme”, tha trajneri i Irlandës që ka treguar edhe për dyshimet e tij rreth skuadrës austriake.
“Duhet të fitonim një ndeshje për të fituar titullin kampion, por jemi mundur 3-0 duke pësuar 3 gola në 5 minuta. Kjo është e pamundur. Dikush në atë periudhë shkroi se ndoshta lojtarët kishin shitur ndeshjen. Ata pësuan 3 gola në 5 minuta: ose ishin idiotë, ose ishin të droguar, ose kishin shitur ndeshjen… por nuk kishte prova”, tregoi trajneri italian. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 February 2013 17:58