Trajneri i përfaqësueses së Brazilit, Mano Menezes, ka thënë se Neimar duhet të luajë në Evropë në mënyrë që të fitojë më shumë eksperiencë dhe të përmirësohet si lojtar.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “O Globo”, Menezes tha se një lëvizje drejt Evropës do ta ndihmonte Neimar të zhvillonte më shumë lojën e tij dhe të fitonte respekt nga kundërshtarët.
“Në lidhje me ambientin, ndjesinë e qëndrimit në shtëpi, është një gjë e mirë që ai po qëndron në Brazil. Por për një zhvillim të plotë, për të fituar më shumë respekt nga kundërshtarët, është e rëndësishme që ai të shkojë në Evropë”.
“Duke qenë në Evropë, ai nuk do të jetë kaq shumë i ekspozuar përballë tifozëve. Qëndrimi në Brazil përfshin edhe përmbushjen e disa kontratave që marrin shumë nga koha e tij. Shihet qartë që ai është i ekspozuar. Duhet të bësh tre gjëra në mënyrë që të jesh mirë: të stërvitesh, të ushqehesh dhe të pushosh”, ishin fjalët e trajnerit të Brazilit.
Klubit të Santos nuk i kanë pëlqyer këto komente dhe ka reaguar duke thënë se trajneri duhej të bënte të kundërtën, të lavdëronte lojtarin që ka refuzuar klubet evropiane për të qëndruar në Brazil.
“Një koment i tillë, që vjen nga trajneri i kombëtares braziliane të futbollit, sjell keqardhje. Kjo është njëlloj si të thuash se dikush duhet të drejtojë një klub evropian para se të drejtojë kombëtaren, gjë që nuk është e vërtetë”, ishte komenti i zëvendëspresidentit të Santos, Odilio Rodrigues Filjo. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 March 2012 15:53