Morten Olsen që e di se tanimë fati i skuadrës së tij nuk varet më vetëm nga ajo dhe nuk di se me kë të kapet.
Edhe një fitore në ndeshjen e fundit me Portugalinë, mund të mos i mjaftojë Danimarkës për tu kualifikuar në Euro 2016 dhe me sa duket presioni është shumë i madh mbi Morten Olsen që e di se tanimë fati i skuadrës së tij nuk varet më vetëm nga ajo dhe nuk di se me kë të kapet.
Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohen deklaratat e fundit të trajnerit 66-vjecar që përcjellin mediat e vendit të tij. Morten këtë herë është kapur me gazetarët por inatin padyshim e ka me Shqipërinë, jo vetëm për faktin që e ndali dy herë në barazim, por edhe që fitoi 3 pikët në Cas për ndeshjen e 14 tetorit të kaluar me Serbinë.
“Mendoj që tre pikët që Shqipëria fitoi me Serbinë, mund të na ishin dhënë edhe neve, mendoj që ju gazetarët duhet të ishit treguar më pasionantë për njeriun e dronit dhe fotot e tij”, ka deklaruar Olsen, shkruan “Supersport.al”.
Trajneri ka shprehur kështu zhgënjimin me mediat daneze që sipas tij duhet ta kthenin në një cështje një foto të shpërndarë në rrjetet sociale ku shfaqet Ismail Morina bashkë me lojtarët e Kombëtares Shqiptare.
Vështirë se diçka e tillë do të mund të ndihmonte Danimarkën në ndonjë betejë të drejtësisë sportive por Olsen gjithsesi ka treguar se i druhet shumë Shqipërisë që me dy ndeshje në dispozicion, i ka të gjitha shanset për ta nxjerrë jashtë loje Danimarkën e tij në betejën për vendin e dytë dhe kualifikimin direkt në europian.
Wednesday, 30 September 2015 11:13