Garet Beil kushton 80 milion euro! Kjo është shifra që drejtuesit e Totenhem u kanë komunikuar atyre të Mançester Junajtid, të cilët sipas mediave angleze, kanë kërkuar informacion për lojtarin uellsian.
Sipas mediave angleze që pasqyrojnë një raport të publikuar në goal.com, shefi ekzekutiv i Junajtid, David Gill, ka biseduar me homologun e tij te Totenhem, Daniel Levi, rreth një transferimi të mundshëm të uellsianit, por ka marrë si përgjigje shifrën e lartë për 23 vjeçarin.
Me sa duket, londinezët nuk kanë ndër mend të heqin dorë lehtë nga lojtari, me të cilin kanë filluar bisedimet për rinovimin e kontratës dhe përmirësimin e rrogës, duke e çuar atë në 175 mijë paund në javë, shumë më lart sesa mesatarja e rrogave në klub.
Fakti është se edhe futbollisti vetë nuk dëshiron të largohet nga ky klub nëse arrin të luajë me rregullsi në Ligën e Kampioneve, pavarësisht interesit të vazhdueshëm nga skuadra të mëdha, ku përfshihen edhe Real Madrid, Mançester Siti dhe Bajern Mynih. Kjo është edhe arsyeja pse Totenhem i ka vënë një çmim kaq të lartë lojtarit, duke qenë të ndërgjegjshëm që nëse ndokush kërkon me çdo kusht atë, të paktën do të arrijë të mbushë mirë arkat e klubit. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 March 2013 09:07