Totenhemi ka vënë si objektiv të krijojë dyshen e sulmit David Vija-Leandro Damiao për të ndihmuar këtë skuadër të ngjitet mes katër më të mirave në kampionatin anglez dhe për t’u bërë faktor i rëndësishëm edhe në Evropë.
Londinezët kanë filluar bisedimet intensive me Barcelonën, pasi janë afër akordit me klubin spanjoll për transferimin e lojtarit që nuk gjen më hapësira, sidomos pas blerjes së Neimar. Mendohet se vlera e këtij operacioni do të jetë 10 milion paund, ndërsa paksa më i kushtueshëm do të jetë ai i afrimit të sulmuesit brazilian të Internacional, i cili kushton rreth 20 milion paund.
Me këtë dyshe sulmi, drejtuesit e Totenhem janë të bindur se do të plotësojnë mungesat e sezonit që sapo u mbyll, ku mbërritën në vendin e 5-të në kampionat, 1 pikë pas Arsenalit që i rrëmbeu në javët e fundit vendin në Ligën e Kampioneve. Për më tepër, londinezët janë të dëshpëruar të korrigjojnë mesataren e golave sidomos në fushën e tyre, ku në 19 ndeshje kanë shënuar vetëm 29 të tillë, më pak se të gjitha skuadrat e tjera në 8 vendet e para në kampionatin anglez.
Pasi të sigurohet firma e këtyre dy sulmuesve, Totenhem do të nxjerrë menjëherë në shitje Emanuel Adebajor dhe Xhermein Defo për të rikuperuar një pjesë të parave, ndonëse ky i fundit do të ishte një alternativë cilësore në planet e Andre Vijas Boas.
Më pas, radhën do ta ketë rinovimi me Garet Beil, duke i premtuar atij një kontratë të përmirësuar për ta bindur që të refuzojë ofertat që i kanë ardhur vazhdimisht nga Real Madrid për të qëndruar të paktën edhe një sezon në Londër. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 May 2013 09:58