Drejtori teknik i Totenhemit, Franko Baldini, do të takohet para fundit të kësaj jave me sulmuesin spanjoll David Vija, pasi klubi anglez kërkon të mbyllë sa më shpejt çështjen e transferimit të futbollistit në fjalë. Vija është aktualisht në Brazil, pjesë e kombëtares spanjolle që merr pjesë në Kupën e Konfederatave, ndaj Baldini do të udhëtojë drejt Amerikës Latine për të kontaktuar me lojtarin.
Sulmuesi përjetoi një sezon më shumë ulje e ngritje te katalanasit, ku pritej të ishte një titullar pas kthimit nga dëmtimi, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ai arriti gjithsesi të shënonte 126 gola në të gjitha aktivitetet për skuadrën katalanase, por kjo nuk i garanton një vend në formacion në sezonin e ardhshëm. Klubi spanjoll bleu Neimar dhe mendohet që ish-sulmuesi i Valencias të jetë i sakrifikuari për t’i lënë vendin brazilianit.
Trajneri i Totenhemit, Andre Vijas Boas, e ka identifikuar atë si sulmuesin që do të zgjidhe problemet ofensive të skuadrës së tij dhe për këtë arsye ka udhëzuar Baldinin që të fillojë negociatat direkte me lojtarin, për ta bindur të zgjedhë ekipin londinez.
Nëse tentativa për të afruar Vija dështon, Totenhem do të kërkojë të nise negociatat me Roberto Soldado dhe Leandro Damiao. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 June 2013 11:44