Totenhem është kthyer përsëri në vendin e katërt në renditjen e kampionatit anglez pas një fitoreje të lehtë 2-0 ndaj Bllekbërn. Ndonëse kishin fituar vetëm 1 nga 9 ndeshjet e tyre të mëparshme, skuadra e Herri Redknap ishte superiore gjatë takimit duke mos lejuar ekipin kundërshtar të bënte qoftë edhe një gjuajtje të vetme në portë, gjë që nuk ndodhte në nj ndeshje të kampionatit anglez që prej vitit 2004.
Rafael Van Der Vart shënoi golin e avantazhit, por vendasve iu desh një supergol i Kail Uolker me goditje dënimi në minutën e 74-t për të siguruar përfundimisht 3 pikët në suksesin 2-0.
Ndërkohë, Çelsi ka festuar me tifozët e saj arritjen në finalen e Ligës së Kampioneve duke shkatërruar 6-1 ekipin e QPR dhe duke u kthyer në garë për vendin e katërt në kampionat.
Pas golit të shënuar kundër Barcelonës në mesjavë, duket se Fernando Torres është zgjuar nga gjumi duke u kthyer përsëri në ditët më të mira. “El Nino” arriti të shënonte tre herë në këtë sfidë, ndërsa golat e tjerë për skuadrën vendase u shënuan nga Starrixh, Terri dhe Maluda. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 April 2012 20:49