Aventura e Herri Redknap në drejtimin e Totenhem ka përfunduar sot pasi klubi zyrtarizoi largimin e tij nga stoli i kësaj skuadre pas 3 vitesh e gjysmë. Devid Mojes i Everton dhe Roberto Martinez i Uigan janë dy kandidatë kryesorë për të zënë vendin e tij te klubi londinez që vendosi të mos i rinovonte kontratën.
Taktika e përdorur nga klubi ishte të detyronte trajnerin të jepte dorëheqjen por pasi 65 vjeçari nuk e pranoi një gjë të tillë, atëherë Totenhem e shkarkoi nga puna.
“Ky nuk është një vendim që unë dhe bordi drejtues i klubit e morëm lehtësisht”, deklaroi në faqen e internetit të klubit shefi i skuadrës, Devid Levi. “Herri erdhi në stolin e skuadrës në një periudhë kur eksperienca dhe mënyra e tij e punës na nevojiteshin shumë. Ky vendim nuk do të hedhë kurrë poshtë punën e shkëlqyer që ai ka bërë për klubin gjatë këtyre viteve”.
Ndërkohë, edhe Redknap zgjodhi të falënderonte klubin për kohën që i kishin dhënë në dispozicion. “Jam argëtuar gjatë gjithë periudhës në drejtimin e kësaj skuadre dhe jam krenar për arritjet e mia këtu. Jam i mërzitur që largohem, por dua të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar me mua këto katër vite”, ishte deklarata e tij.
Redknap e mori drejtimin e skuadrës kur ajo rrezikonte të binte nga kategoria dhe jo vetëm që ndërtoi një ekip të fortë spektakolar, por edhe i drejtoi për herë të parë në historinë e klubit në Ligën e Kampioneve.
Por një seri rezultatesh negative në pjesën e dytë të këtij sezoni e kthyen Totenhem nga një skuadër pretendente për titull, në një skuadër që luftonte për të hyrë në Ligën e Kampioneve. Pasi pjesëmarrja në këtë turne nuk u sigurua, bordi vendosi t’i jepte duart trajnerit që ishte shumë pranë stolit të Anglisë para se atë ta merrte Roi Hodgson. (LajmeShqip.com)
Thursday, 14 June 2012 12:30