Totenhemi ka vendosur një shifër rekord prej 100 milion paund për shitjen e Garet Beil, duke u munduar që të frikësojnë skuadrat që po mundohen t’i afrohen futbollistit uellsian.
23 vjeçari është kthyer në objektivin e dëshirave të klubeve më të njohura në botë, me në krye Real Madrid, Bajern Mynih dhe PSZH që janë gati të ofrojnë shuma të larta për të siguruar shërbimet e tij. Por shefi i klubit londinez, Daniel Levi, mendon se vendosja e një çmimi të lartë do të bëjë që futbollisti të qëndrojë në radhët e Totenhemit për të paktën edhe një sezon.
Pengesa më e madhe në planet e klubit, që mund të bindë përfundimisht lojtarin të largohet, është pamundësia për të luajtur në Ligën e Kampioneve, nëse Totnehem nuk arrin të kualifikohet në sezonin e ardhshëm në këtë aktivitet.
Londinezët duhet të fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura në kampionat me shpresën që të arrijnë dhe të kalojnë dy rivalët e të njëjtit qytet, Arsenal dhe Çelsi, që aktualisht mbajnë vendin e tretë dhe të katërt që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 21 April 2013 10:46